Pse nuk i bëjmë dot naze. Historia dhe të mirat e djathit.

Me siguri edhe ti je një nga ata që nuk i rezistojnë dot djathit, qoftë ky i bardhë, kaçkavall, me qumësht deleje, dhie apo lope. Je mësuar ta vendosësh në mes të tavolinës si oreks ndjellës, si shoqërues për verën ose si përbërës për recetat e tua të shijshme. Nuk ke faj. Djathi është një ushqim fantastik.

Pak histori

Dashuria jonë për djathin nis 8000 vjet më parë. Madje, gjatë kësaj periudhe kohore, njerëzimi kishte mjeshtrat e tij në bërjen e djathit në shumë kultura anembanë botës. Zbutja e kafshëve për kullota luajti një rol kryesor në shpikjen, zhvillimin dhe perfeksionimin e artit të të bërit bulmet. Të njëjtat kafshë na dhanë qumështin, lëndën bazë e më të rëndësishme për të prodhuar djathë. Gjatë gjithë historisë shumë kafshë janë vlerësuar për qumështin e tyre, duke përfshirë këtu edhe buallin, devenë apo bizontët. Në ditët e sotme për të prodhuar bulmet më së shumti përdoret qumështi i lopës, me një rritje mbi 50% vetëm në 40 vitet e fundit. Por, ndërkohë që konsumi i qumështit të lëngshëm ka tendencë të zvogëlohet, në të gjithë botën, djathi sa vjen e pëlqehet më shumë.

Pse djathi na pëlqen kaq shumë

Mesatarisht secili prej nesh konsumon mbi 15 kg djathë në vit. Mos u çudit! Përveç shijes së shkëlqyer, me sa duket organizmi jonë na falenderon sa herë konsumojmë djathë.

Ky produkt është burim shumë i mirë kalciumi, yndyrnash dhe proteinash. Gjithashtu tek djathi gjejmë sasi të mëdha zinku, fosfori dhe vitaminash (A & B-12).

Djathi i prodhuar nga qumështi i kafshëve 100% të ushqyera me bar është më i pasuri me vlera ushqyese të rralla si omega-3 apo vitamina K-2.

Djathi (dhe produket e bulmetit) na mbrojnë dhëmbët nga karjet dhe dëmtimi. Sipas një studimi danez të vitit 2015, fëmijët që konsumonin më shumë djathë pas një periudhe tre-vjeçare ishin më pak të rrezikuar në shëndetin e dhëmbëve. Djathi është treguar çudibërës edhe për patologji të tjera si për shembull Osteoporoza. Vitaminat, kalciumi dhe proteinat që ndodhen tek djathi ulin riksun e prekjes nga kjo sëmundje e kockave.

Gjithashtu është vërtetuar se djathi ndihmon në formimin e muskujve, në forcimin e sistemit imunitar dhe në balancimin e presionit të gjakut tek ata që vuajnë nga tensioni i lartë.

Ne në Gjirofarm kemi një recetë për të gjitha këto të mira

Receta jonë për të sjellë në tavolinat tuaja djathin më të shijshëm e më të shëndetshëm në të gjithë Jugun është fare e thjeshtë. Së pari ne respektojmë me fanatizëm traditën e blegtorëve gjirokastritë, të trashëguar brez pas brezi. Novacion kemi sjellë vetëm në pastërti, shpejtësi dhe konservim më të mirë. Si e vetmja mënyrë që djathi ynë të mbërrijë tek ti sa më i freskët. Qumështin e mbledhim nga blegtorët e zonës sonë, të cilët i rrisin kafshët me kujdes të madh. Nga procesi i mjeljes e deri tek fabrika jonë, qumështi bën një rrugë që zgjat vetëm disa minuta. Kaq afër jemi me traditën, historinë dhe cilësinë që na kanë lënë trashëgimi prej qindra vitesh. Me emrin Gjirofarm do të gjesh djathë dhie, lope apo deleje. Dimë të bëjmë përsosmërisht djathë të bardhë, por jemi të specializuar edhe te kaçkavalli, sepse i duam tavolinat tuaja plot me shëndet të mirë.